The Old Illyrians
Përshendetje Vizitor i Nderuar...

Me sa duket, ju nuk jeni Identifikuar akoma ne Faqen tone,

ndaj ju paraqitet ky mesazh për tju Kujtuar se ju mund të Identifikoheni që të merrni pjese në

diskutimet dhe Temat e shumta të Forumit tone.

...Në qofte se ende nuk keni një Llogari personale në Forum, mund ta hapni nje të tille duke u Regjistruar

...Regjistrimi Ështe falas dhe ju merr kohe maksimumi 1 min...

Me Respekt dhe Kenaqesi:

Staffi i Forumit aLbdigital.net


The Old Illyrians
Përshendetje Vizitor i Nderuar...

Me sa duket, ju nuk jeni Identifikuar akoma ne Faqen tone,

ndaj ju paraqitet ky mesazh për tju Kujtuar se ju mund të Identifikoheni që të merrni pjese në

diskutimet dhe Temat e shumta të Forumit tone.

...Në qofte se ende nuk keni një Llogari personale në Forum, mund ta hapni nje të tille duke u Regjistruar

...Regjistrimi Ështe falas dhe ju merr kohe maksimumi 1 min...

Me Respekt dhe Kenaqesi:

Staffi i Forumit aLbdigital.net

The Old Illyrians
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

The Old Illyriansidentifikimi

aLbanian Forum and Portal


descriptionLETERSIA E VJETËR SHQIPE EmptyLETERSIA E VJETËR SHQIPE

more_horiz
Letërsia e vjetër shqiptare lindi dhe u zhvillua në mesjetë, kur vendi ynë nën zgjedhën osmane, në kushtet e shoqërisë feudale, ku ideologjia sunduese ishte ideologjia fetare. Prandaj edhe përmbajtja e saj është kryesisht fetare. Të nisur nisur nga qëllime atdhetare, shkrimtarët e kësaj periudhe shkruan edhe vepra mësimore e didaktike, si:
"Fjalori latinisht-shqip„ i F.Bardhit , "Gramatika„ e Andrea Bogdanit, madje edhe krijime tërësisht laike si ndonjë poezi e Budit, shume vjersha të bejtexhinjve etj.
Atë që s'mund ta bënte letërsia e shkruar, e bëri vetë populli me letërsinë gojore, me krijimet e bukura folklorike, që përbëjnë një monument kulture të pandërprerë gjatë gjithë qenies së tij, që nga kohët më të lashta.
Shkrimi më i vjetër shqip që njohim deri më sot, i përket vitit 1462 dhe libri i shkruar në gjuhën shqipe, me sa dimë deri tani, është "Meshari„ i Gjon Buzukut, botuar më 1555. Ky është libri i parë i shkruar në gjuhën shqipe, por jo libri i parë i letërsisë shqiptare. Letërsi shqiptare të shkruar në gjuhë të tjera ka pasur edhe më parë. Vepra më e rëndësishme e këtij lloji është "Historia e Skënderbeut„ e Marin Barletit botuar rreth viteve 1508-1510 .
Me letërsi të vjetër shqiptare kuptojmë letërsinë e tre shekujve. Në qoftë se në shekullin XVI u shkrua vetëm "Meshari", në shekullin XVII ai ndiqet nga librat në gjuhën shqipe të Pjetër Budit, Frang Bardhit, Pjetër Bogdanit etj., në Veri.
Një grup tjetër përbën prodhimi letrar që u zhvillua në qendra të ndryshme të Shqipërisë së Jugut dhe të Shqipërisë së Mesme si: në Voskopojë, Elbasan, Gjirokastër dhe Janinë. Sidomos në shekullin e XVIII dhe në gjysmën e parë të shekullit të XIX, ky prodhim përfaqëson kryesisht shtresat e zanatçinjve, të tregëtarëve dhe të fshatarësisë së lirë dhe lidhet me zhvillimin ekonomik e kulturor të qyteteve të këtyre anëve. Kështu p.sh., Voskopoja gjatë viteve 1720-1770
Ishte një qytet i begatshëm me rreth 20.000 banorë, një nga qendrat kryesore ekonomike dhe kulturore të vendit. Këtu lulëzoi një veprimtari e gjerë arsimore, me kisha e shkolla të shumta; ndër to edhe një shkolle e nivelit të mesëm, e quajtur Akademia e Re, e ngritur nga Bushatllinjtë e Shkodrës. Kishte, gjithashtu, një biblotekë dhe një shtypshkronjë, të njohura për kohën. Rëndësi të veçantë jo vetëm politike, por edhe kulturore mori Janina sidomos në kohën e Ali Pashë Tepelenës.
Shkrimtarët kryesorë te këtij prodhimi janë Theodor Kavaljoti nga Voskopoja (sh.XVIII). Kostë Beratasi (nga fundi i shk.XVIII), Anonimi i Elbasanit (gjysma e parë e shekullit XVIII), trimi suliot Marco Boçari, peshkopi Grigor Gjirokastriti etj. Veprat e tyre kanë kryesisht karakter fetar ose mësimor, janë fjalore disagjuhësh ose përkthime. Ata vetë kanë një formim greko-bizantin , ndaj dhe në shkrimet e tyre përdorin kryesisht alfabetin grek, por pati edhe nga ata, si Anonimi i Elbasanit, Kostë Beratasi, Theodhor Haxhifilipi e ndonjë tjetër, që krijuan edhe alfabete të veçanta të shqipes, duke dashur të vënë në dukje individualitetin e gjuhës shqipe dhe dallimin e saj nga gjuhët e tjera.
Fakt i rëndësishëm i jetës letrare të shekullit të XVIII dhe fillimit të shekullit të XIX është krijimtaria e bejtexhinjve (letërsi shqiptare me alfabet arab) me përfaqësues kryesore: Hasan Zyko Kamberi nga Kolonja; Nezim Frakulla, nga Berati: Zenel Bastari nga Tirana; Muhamet Cami, nga Konispoli; Dalip e Shahin Frashëri, nga Frashëri; Salih Pata e Mulla Hysen Dobraci, nga Shkodra etj.
Një degëzim të veçantë të letërsisë së vjetër shqiptare përbënte letërsia arbëreshe, prodhim i shqipëtarëve të emigruar në Itali para dhe pas vdekjes së Skënderbeut.
Kjo letërsi njohu një rrugë të gjatë zhvillimi , që nga shekulli XVI deri nër ditët tona. Ndër autorët e saj më të dëgjuar, mund të përmendim Lekë Matrënga (1560-1619); Niko Katalano (1637-1694); Nikolla Brankati (1675-1741); Nikollë Filja (1682-1769). Një etapë të re në letërsinë e vjetër arbëreshe shënuan veprat e Jul Varibobës (shek XVIII), ku bie në sy jo vetëm origjinaliteti i trajtimit të materialit, por edhe cilësia e lartë artistike, traditë e që u çua pastaj me përpara nga shkrimtarët arbëreshë të Rilindjes Kombëtare (De Rada , Dara (i riu), Santori, Serembe, Stratiko etj.).
Ndonëse e kufizuar në tematikë dhe e përfaqësuar me një numër të vogël veprash, rëndësia e letërsisë së vjetër qëndron, në rradhë të parë, në faktin se ajo është shprehje e vitalitetit të popullit shqiptar, e qëndresës së tij kundër pushtuesit e kulturës së huaj. Nëpërmjet veprave të kësaj letërsie u ruajt e gjallë dashuria për gjuhën shqipe dhe tradita për shkrimin e saj.

descriptionLETERSIA E VJETËR SHQIPE EmptyRe: LETERSIA E VJETËR SHQIPE

more_horiz
MARIN BARLETI (BARLECI)

Historiani i shquar Marin Barleti është figura më e madhe e lëvizjes së humanistëve shqiptarë të shekujve XV-XVI. Ai lindi rreth vitit 1460 në Shkodër. Fare i ri, më 1478, mori pjesë me armë në luftën për mbrojtjen e qytetit të lindjes nga rrethimi i forcave osmane. Heroizmi i bashkatdhetarëve i mbeti në sy e në mendje, derisa e përjetësoi në veprat e tij historike kushtuar luftrave për të mbrojtur atdheun "nga kujtimi i të cilit,- shkruan ai,- tani përtërihem si për mrekulli, por edhe për të cilin s'mund të shkruaj pa lot në sy". Rënia e Shkodrës, që ishte një nga kalatë e fundit të qëndresës shqiptare pas vdekjes së Skënderbeut, e detyroi Barletin, si shumë të tjerë, të mërgonte në Venedik me 1504. Por vepra që i dha emër Barletit në kulturën shqiptare dhe në botë ishte "Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut", shkruar në latinisht dhe e botuar në Romë rreth viteve 1508-10. Kjo vepër në kohën e vet u ribotua latisht tri herë, u përkthye në shumë gjuhë evropiane dhe u bë burim i një literature të gjerë për heroin tonë kombëtar, të shkruar në gjuhë të ndryshme të botës, që nga italishtja, spanjishtja, rusishtja, frengjishtja, greqishtja e deri në japonisht. F.S.Noli ka shkruar me të drejtë se vepra e Barletit "fitoi këndonjës anembanë botës dhe e bëri të pavdekshëm kujtimin e Skënderbeut në Evropë".
Popullariteti i madh që gëzoi vepra shpjegohet me dy arsye: e para lidhet me subjektin që trajton, me figurën e Skënderbeut, e cila u bë e njohur dhe legjendare qysh në kohën e vet; e dyta qëndron në forcën dhe bukurinë e stilit me të cilin ajo është shkruar, një stil që të rrëmben.
Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut është, në rradhë të parë, një vepër historike, por e shkruar nga një dorë mjeshtri. Stili i gjallë dhe elegant me të cilin e ka shkruar Barleti, e bëjnë atë një vepër edhe me vlerë letrare. Këto vlera qëndrojnë në gjuhën e pasur dhe në figuracionin e pasur, në mjeshtërinë plastike të vizatimit të figurës së Skënderbeut, në frymën patetike dhe vrullin tronditës që përshkon tregimin, si dhe në bukurinë, gjerësine dhe lehtësinë e frazës. Vepra e Barletit përshkruan historinë e luftrave heroike të shqiptarëve, të udhëhequr nga Skënderbeu, kundër hordhive osmane. Atë e përshkon nga fillimi në fund ndjenja atdhetare, krenaria e autorit për vetitë luftarake të popullit të vet, dashuria dhe adhurimi për heroin, që i dha emrin një epoke të tërë në historinë e popullit shqiptar.
Vlera më e çmuar që gjen Barleti te bashkatdhetarët e vet, është dashuria për lirinë, për trojet amtare, vendosmëria për të dhënë edhe jetën për mbrojtjen e tyre.
Nuk ka gjë më të çmuar për njeriun sesa atdheu, nuk ka detyrë më të shenjtë sesa lufta për ta mbrojtur atë nga i huaji. Kjo është një nga idetë e mëdha të veprës. Kryeni detyrën ndaj atdheut, për të cilin asnjëherë nuk duhet kujtuar se është derdhur gjak, se është luftuar sa duhet, sepse dashuria për të ia kalon çdo dashurie tjetër, shkruan Barleti.
Duke folur për qëndresën e shqiptarëve gjatë shekullit XV, Barleti ka vënë në qendër të veprës së vet protagonistin dhe heroin e saj qendror Gjergj Kastriotin. Kjo figurë është vizatuar me dashuri e ngjyra të gjalla; ajo është dhënë me tiparet që ia njeh historia, pra gjithmonë në frymën e humanizmit e të konceptit humanist për njeriun dhe luftëtarin e lirisë.
Barleti e jep Skënderbeun si personifikim të heroit që mishëron forcën e njeriut, aftësinë dhe bukurinë fizike e morale të kësaj krijese të mrekullueshme, sipas botëkuptimit humanist. Figura e tij del madhështore, si një hero legjendar, simbol i çlirimtarit dhe i mbrojtësit të lirisë, prijës i një populli luftëtar e trim , të dashuruar deri në dhembje me trojet e veta dhe me lirinë.
Luftëtar i ashpër dhe prijës me një zemër të madhe njerëzore, madhështor dhe legjendar - e tillë të mbetet në mendje figura e heroi , skalitur si me daltë nga pena e Barletit.
Në veprën "Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut„ autori mbron të drejtën e një populli për të jetuar i lirë, himnizon njeriun dhe forcën e tij, heroizmin njerëzor dhe dashurinë e natyrshme për trojet e të parëve.
Duke qenë një vepër historike, libri i Barletit ka rëndësinë për të dhënat dhe faktet që sjell. Pa këtë vepër historiografisë për Skënderbeun do t'i mungonin burimet e para, që e kanë ushqyer dhe vazhdojnë t'a ushqejnë edhe sot. Në disa raste, i rrëmbyer nga entuziazmi që i shkakton kujtimi i ngjarjeve heroike që përshkruan edhe urrejtja për pushtuesin, Barleti i zmadhon ngjarjet e‚ sidomos ndryshon shifrat e pjesëmarrësve në luftime. Por, prapëseprapë, në thelb dhe në frymën e saj të përgjithshme vepra i përmbahet së vërtetës historike.
Me librin e tij Marin Barleti qëndron në fillimet e letërsisë shqiptare, e cila e nis udhën e saj me një vepër të përmasave të mëdha. Kjo vepër është shkruar në latinisht, që asokohe ishte gjuha e kulturës në Evropë, por ajo i përket kulturës shqiptare, jo vetëm se është shkruar nga një shqiptar, por se është bota shqiptare që i ka dhënë jetë këtij argumenti madhështor të kulturës së hershme të këtij populli të lashtë.

descriptionLETERSIA E VJETËR SHQIPE EmptyRe: LETERSIA E VJETËR SHQIPE

more_horiz
GJON BUZUKU

Gjon Buzuku është autori i parë i njohur deri më sot i letërsisë shqiptare. Veprat në gjuhën shqipe gjatë shekujve të parë të pushtimit osman janë të pakta. Më e vjetra prej tyre që ka mbëritur deri në ditët tona, është "Meshari„ i Gjon Buzukut (1555). Kush ishte autori, nga ishte, ku punoi, mbi ç'baza arriti ta shkruante e ta botonte librin e vet, janë pyetje që ende nuk kanë gjetur një përgjigjje të plotë. ndonjë gjë të paktë që dimë për jetën e autorit, për vështirësinë që hasi, për punën, qëllimin dhe për kohën kur e shkroi ose e botoi veprën e vet e mësojmë vetëm nga pasthënia e librit. Gjon Buzuku ishte një prift katolik, një famulltar i thjeshtë, që, me sa duket, punoi në Shqipërinë e Veriut, jo larg vendit ku e botoi veprën e tij ndoshta në trevën e Ulqinit e të Tivarit. Siç na thotë vetë, veprën e filloi më 20 mars 1554
Dhe e mbaroi më 5 janar të 1555, koha që punoi për shqipërimin, ose për botimin e saj nuk del e qartë.
Libri, ashtu siç është sot, ka 188 faqe, i mungojnë 16 faqet e para, por edhe disa të tjera nëpër mes. Kështu që, duke mos pasur as kopertinë, as faqen e parë, nuk dimë as titullin e tij të vërtetë dhe as vendin e botimit etj. Është kjo një fatkeqësi apo fatmirësi, s'mund ta themi dot. Ndoshta, po t'a kishte kopertinën ose edhe faqen e parë, libri mund të ishte zhdukur, sepse, me sa duket, ka qenë në listën e atyre librave që kane qenë ndaluar nga kisha katolike e Romës.
Kështu që janë zhdukur nga qarkullimi të gjitha kopjet e tij dhe mbeti vetëm kjo që është e gjymtuar. Kjo , ndoshta është arsyeja që ajo sot gjendet vetëm në një kopje, të fshehur e të harruar që i ka shpëtuar syrit të inkuizicionit.
Kopja që gjendet, me sa duket ka qenë përdorur shumë. Veç fletëve të grisura, në shumë faqe anash ka shënime e emra priftërinjsh që, me sa duket , e kanë pasur nëpër duar.
Përmbajtja e librit është fetare dhe kryesisht me pjesë liturgjie, pjesë që lexohen e recitohen vetëm prej klerikëve në shërbesat kishtare. Përkthim i një libri latinisht i shkruar me alfabetin latin. Për disa disa tinguj të shqipes, si: q, gj, th, dh, z, x, etj; që nuk i ka gjuha latine, autori përdor pesë shkronja që kanë përngjasim me disa shkronja të alfabetit cirilik. Gjuha e veprës është ajo e dialektit të Shqipërisë Veriore e Perëndimore. Këtë alfabet do ta përdorin edhe autorët pas tij, me ndonjë ndryshim të vogël.
Përmbajtja e veprës dëshmon për përdorimin e shqipes në shërbesat fetare. Jemi në kohën kur në Evropë kishte shpërthyer lëvizja për t'u shkëputur nga kisha katolike e Romës, lëvizja që njihet me emrin protestantizëm. Një nga kërkesat kryesore të kësaj lëvizje ishte që shërbesat kishtare të bëhen në gjuhën amtare. Edhe Buzuku, me sa duket, ecën në këtë rrugë, edhe pse kjo është në kundërshtim me urdhërat e Vatikanit. Nga ato që thotë në pasthënie, duket se Buzuku nuk hyri rastësisht në këtë rrugë.
Në rrethanat që ishin krijuar në Shqipëri nga pushtimi osman, kisha katolike e Romës ishte e detyruar të bënte lëshime për t'i vënë fre islamizmit të popullsisë shqiptare. Këtë gjë e kuptoi dhe e shfrytëzoi Buzuku, i nisur jo vetëm nga qëllime fetare por edhe atdhetare.
I ndikuar nga idetë e lëvizjes protestante, Buzuku iu vu punës qe besimtarët shqiptare shkrimin e shenjtë ta merrnin drejtpërdrejtë në gjuhën amtare. Nga ana tjetër, si atdhetar, ai desh të bënte dicka për popullin e vet dhe është i vetëdijshëm se me punën e tij do t'i shërbente popullit të vet, jo vetëm për të dëgjuar e kuptuar përmbajtjen e disa ceremonive kishtare, por edhe se ajo përbën pikënisjen e shkrimit të gjuhës shqipe drejtuar masave shqiptare. Me veprën e tij ai mundohej të afirmonte individualitetin shqiptar. Vepra e Buzukut nuk ka vetëm meritë letrare, por është edhe një hap i guximshëm kulturor, që bën pjesë në luftën e popullit shqiptar për çlirim e përparim. Këto probleme e kanë munduar për një kohë të gjatë autorin, prandaj ai shkruan në pasthënie <<…U Doni Gjoni, biri i Bdek Buzukut , tue u kujtuom shumë herë se gjuha jonë nukë kish gjo të të ndigluom (që të jetë dëgjuar) nse shkruomit shenjtë, nse dashunit nse botëse, sanë, desha me u dedigune përsa mujta me ditune, me zbritunë (me ndriçue) pak mendetë e atyne që ndiglojinë …>>
Të ndriçojmë mendjet e njerëzve, pra ky ka qenë edhe njeri nga qëllimet për të cilin e shqipëroi dhe botoi Buzuku veprën e tij. Madje Buzuku ecën edhe më përpara. Në Mesharin e tij gjendet dhe kjo lutje që nuk gjendet në asnjë meshar të botës: Gjithë popullsinë e krishtene, ndër Arbanit ata n'mortajet largo, ty të lusmë. O Zot. Te Arbëria, pra aty i rreh zemra Buzukut. Nga të gjitha këto del qartë se me veprën e Buzukut kemi një vazhdimësi të kulturës shqipëtare dhe në kushtet e vështira të pushtimit osman, kulturë që te humanistet u përfaqësua me vepra kryesisht në gjuhën latine, që ishte gjuha e kulturës së kohës dhe që u pasurua më vonë me veprat e Budit, Bardhit, Bogdanit et , në gjuhën shqipe.
Që nga botimi deri më 1740, gati dy shekuj Meshari ishte një vepër e humbur, një vepër e panjohur. Më 1740, atë e zbuloi në Biblotekën e Propaganda Fides afër Romës autori gjakovar Gjon Kazazi. Ky zbulim bëri bujë të madhe, sepse është libri i parë në gjuhën shqipe. Pas kësaj çështja mbeti përsëri në heshtje edhe për më tepër se një shekull deri më 190 , kur e rizbuloi arbëreshi Pal Skiroi po jo më në Biblotekën Propagada Fides, por në Biblotekën e Vatikanit, në Romë, ku gjendet edhe sot. Me 1932 libri u fotokopjua në tri kopje, njëra nga të cilat gjendet në Biblotekën tonë Kombëtare. Më 1968 gjuhëtari ynë i shquar Eqerem Cabej, bëri një botim shkencor të veprës së Buzukut, duke e shoqëruar me një studim më të gjerë për gjuhën dhe meritat e autorit.
Gjuha e pasur e librit dhe drejtëshkrimi përgjithësisht i ngulitur dëshmojnë se kjo vepër duhet te jetë mbështetur në një traditë të mëparshme të shkrimit të shqipes kishëtare, traditë që rrebeshet e kohërave të vështira që kaloi vendi ynë, me sa duket e kanë marrë me vehte. Por edhe libri i Buzukut krijoji padyshim një traditë për autorë që erdhën pas tij. Të shkruaje në shqip një libër fetar në një kohë kur kjo gjuhë nuk ishte lëvruar si gjuhë kulture, nuk ishte e lehtë. Buzuku ia doli mbane veç të tjerash edhe pse shfrytëzoi pasurinë e gjuhës pupullore si dhe mjaft fjalë të lashta, që ndoshta, i përkisnin traditës së shkrimit të shqipes para tij.
Gjuha e veprës ka në bazë të folmen e Shqipërisë Verilindore, por të bie në sy përpjekja për ta ngritur atë mbi dialektin nga është nisur. Në veprën e Buzukut gjejmë ndonjëherë edhe pjesë të një proze tregimtare, të një proze me vlera letrare, që dallohet për mjeshtërinë e përdorimit të fjalës, dhe sigurinë e ndërtimeve gjuhësore pak a shumë të qëndrueshme. Meshari i Buzukut ka rëndësi shumë të madhe për historinë gjuhës së shkruar shqipe. Duke krahasuar gjuhën e Buzukut me shqipen e sotme, vërehen zhvillime të ndryshme që ka pasur gjuha jonë që nga shekulli XVI e deri më sot, gati për pesë shekuj.

descriptionLETERSIA E VJETËR SHQIPE EmptyRe: LETERSIA E VJETËR SHQIPE

more_horiz
FRANG BARDHI

Autori i tretë i rëndësishëm i letërsisë së vjetër shqiptare është Frang Bardhi. Midis autorëve të tjerë të kësaj periudhe, Bardhi zë një vend të vecantë. Duke ndjekur vazhdën e paraardhësve në veprimtarinë atdhetare, në fushën e krijimtarisë letrare i kalon caqet e përkthimeve fetare. Ai kishte interesa më të gjera. Bardhi bëri edhe përkthime fetare, por ato mbeten të pabotuara dhe
humbën, prandaj ai ka hyrë në historinë e kulturës sonë kombëtare si leksikografi i parë shqiptar, si historian, folklorist e etnograf. Bardhi studiohet në historine e letërsisë sonë me dy vepra oigjinale: "Fjalori latinisht-shqip„ dhe "Apologjia e Skënderbeut„. Këto vepra e lidhin atë më tepër me humanizmin shqiptar sesa me traditën e letërsisë fetare të shekujve XVI-XVII.
Edhe për jetën e Bardhit dhe për veprimtarinë e tij kemi pak të dhëna. Lindi në Kallmet të Zadrimës më 1606. Ai sikurse edhe Budi, krenohej që i perkiste një familjeje pjestarët e së cilës nuk u rreshtuan me pushtuesit.
Studimet i kreu në Itali, në kolegjin e Loretos dhe pastaj në atë të Propaganda Fides. Me 1635 u emërua peshkop i Sapes ( Zadrimë ). Në veprimtarinë e tij politike Bardhi do te jetë në rradhët e para të atdhetarëve që i përkushtohen luftës për t'u cliruar nga zgjedha e huaj, zhvillimit dhe përparimit të vendit dhe të gjuhës shqipe.
Gjendja e mjeruar e popullit nën sundimin e egër osman, dëshira dhe përpjekjet për t'a ndihmuar atë që të shpëtonte nga kjo robëri, ishin shqetësime që e mundonin vazhdimisht Bardhin. Kjo duket edhe në relacionet që i dërgonte herë pas here Papës. Ja si shprehet në relacionin e vitit 1641 për rëndimet dhe poshtërimet që u bëheshin fshatarëve shqiptarë, sidomos të krishterëve, nga arbitrariteti i feudalëve turq: "Dhjetë ose pesëmbëdhjetë turq bashkohen dhe kalojnë nëpër shtëpitë e krishterëve dhe hanë e pinë sa të kenë oreks, gjithë ditën gjithë natën pa paguar asgjë. Ai i shkreti nuk mund të thotë se nuk ka bukë, verë, mish e tagji për kuajt e tyre, sepse ia përmbysin shtëpinë dhe e rrahin egërsisht. Po nuk pati, duhët të lerë peng rrobat e trupit për të ngopur lakmitë e tyre të mbrapshta …"
Relacionet e tij kanë edhe më shumë të dhëna të tjera për gjendjen shpirtërore të popullit, për zakonet, traditën e tij etj. Ashtu si edhe Budi, madje që në hapat e parë të jetës së vet, si misionar i fesë, Bardhi hyri në konflikt të hapur me klerin e huaj, madje edhe me ungjin e vet, Gjergj Bardhin, të cilin edhe do ta padise si një nga shkaktarët e vullnetshëm të mbytjes së Budit. Konflikti do të ishte aq i ashpër sa me një letër drejtuar Vatikanit vetëm 4-5 vjet pasi kishte ardhur në Zadrimë, do të shkruante: "Në qoftë se do të shpëtoj i gjallë nga telashet që më shkakton kryepeshkopi, qoftë ai vetë, qoftë me anën e zotërinjve turq, do të vij në Romë, për t'i treguar të gjitha dhe për të kërkuar ndihmë.
Bardhi e shikonte detyrën e peshkopit jo thjesht si të një misionari kishëtar, por edhe të pregatiste të rinj shqiptarë të shkolluar e t'i vinte fre dërgimit të misionarëve të huaj në viset shqiptare. Ai kërkonte klerikë të arsimuar
shqiptarë, që t'u hiqeshin nga duart misionarëve të huaj shkollat që ishin hapur në vendin tonë për qëllimet e tyre të mbrapshta. Ai vetë, kishte nxitur dhe dërguar për studime në Itali, klerikë të vendit, të cilët do të merrnin dorë drejtimin e këtyre shkollave.
Vitet e fundit të jetës së Bardhit në vend që të ishin vite pune në lëmin e gjuhësisë e të letërsisë shqipe dhe të lëvizjes shqiptare për t'u çliruar, siç pritej prej hartuesit të fjalorit të parë të shqipes, përmbledhësit të parë të folklorit të parë të shqipes, prej mbledhësit të parë të folklorit tonë dhe prej mbrojtësit erudit të shqiptarisë së Skënderbeut, ishin vite lufte kundër pushtimit të huaj, ashtu edhe kundër synimeve të kishës katolike të Romës, vite që e lodhën shumë. Duke u gjendur në pellgun e kundërshtimeve dhe të intrigave që u thurren kundër tij më në fund u dorëzua, në mos drejpërdrejt, tërthorazi. Vdiq fare i ri, në moshën 37-vjeçare, në një kohë kur mund të ndihmonte shumë për zhvillimin dhe përparimin e vendit e të kulturës shqiptare.
Megjithatë Bardhi mbetet një nga figurat më të shquara të kulturës shqiptare për kohën kur jetoi. Ai na la trashëgim dy vepra madhore "Fjalorin latinisht-shqip„ dhe "Apologjja e Skënderbeut„. "Fjalorin latisht-shqip„ Bardhi e shkroi që kur ishte student dhe e botoi më 1635 në Romë. Autori thotë se e shkroi këtë vepër që t'i ndihmonte "…gjuhës sonë që po bdaret e po bastardhohet sa me parë të ve …„ Bardhin e brente kështu shqetësimi si ta ruante gjuhën shqipe që të mos prishej e të mos humbiste me të kaluar të kohës në kushtet e pushtimit osman, dhe nga ana tjetër t'u shërbente edhe klerikëve katolike shqiptarë që nuk dinin gjuhën latine. Fjalori përmban rreth 2.500 fjalë shqipe. Krahas fjalëve, jepen edhe togfjalësha që tregojnë përdorimin e tyre. Në këtë fjalor për herë të parë gjuha shqipe ballafaqohet me një gjuhë të përpunuar, siç ishte gjuha latine në atë kohë.
Përkthimi në shqip mbështetet kryesisht në gjuhën popullore, në fondin kryesor të gjuhës sonë, por shpeshherë Bardhi sjell në përdorim edhe shume fjalë të lashta. Me këtë vepër zë fill leksikologjja shqiptare, ndaj me të drejtë Bardhi quhet edhe leksikologu i parë në historinë e gjuhës shqipe.
Në fund të fjalorit, në një shtojcë, autori ka perfshirë edhe material gjuhësor, si; emra mashkullore e femërorë, emra farefisnie, emrat e qyteteve dhe të kështjellave kryesore të Shqiperisë, parafjalë, pasthirrma, disa mënyra të përshëndeturi si dhe një dialog të shkurtër.
Por kjo vepër i hapi rrugë dhe një dege tjetër të dijes shqiptare, folkloristikës sonë, sepse në të jane përfshirë edhe 113 proverba, shumica origjinale dhe vetëm pak të përkthyera. Edhe në zgjedhjen e tyre autori niset nga qëllime të qarta patriotike. Ndër këto proverba, interes të veçantë kanë ato që dëshmojnë për vetitë e bukura morale të popullit tonë, veçanërisht ato që shprehin urrejtjen për pushtuesin, si : "Tek shkel turku, nuk mbin bar„ etj.
Në fjalorin e tij ka përdorur alfabetin latin, pothuajse njëlloj si Buzuku e Budi, me ndonjë ndryshim të vogël, çka të bën të mendosh se duhet të ketë njohur veprat e tyre.
Vepra tjetër e njohur e Bardhit është "Apologjia e Skënderbeut", botuar latinisht në Venedik më 1636. Titulli i saj i plotë është: "Gjergj Kastrioti epirotas, i quajtur zakonisht Skënderbe, princ trim mbi trima dhe i pathyeshem i shqiptareve, u kthehet bashkëatdhetarëve dhe atdheut të tij prej Frang Bardhit". Vepra në të vërtetë është një apologji (mbrojtje) që i bën autori Skënderbeut, si bir dhe hero i popullit shqiptar, prandaj edhe është quajtur Apologjia e Skënderbeut. Këtë vepër autori e ka shkruar për 15 ditë, në kulmin e zemërimit, në rrugë e sipër, kur po kthehej në Shqipëri për të hedhur poshtë mendimet e pathemelta të një peshkopi boshnjak, që i mohonte Skënderbeut prejardhjen shqiptare. Më 1631 boshnjaku Tomko Marnavici kishte botuar një libërth ku pretendonte se Skënderbeu nuk ishte me origjinë shqiptare, por boshnjake, madje nga familja e Marnaviçëve. kjo rrethanë i jep veprës një frymë të mprehtë polemike dhe një stil energjik.
Këtë falsifikim Bardhi e quan të "kobshëm„ dhe ai iu vu punës për këtë vepër, se, po të heshtte, i dukej sikur do të tradhëtonte veten dhe atdheun. Pra , është ndjenja atdhetare ajo që e bren përbrenda autorin. Por fuqia e mendjes dhe e punës së tij bëhet më e madhe kur kjo ndjenjë përkon me drejtësinë e çështjes që mbron. Bardhi do t'i japë popullit të vet atë që i përket, duke pasur parasysh më tepër të vërtetën se sa atdheun, ashtu sic nuk do t'i lejonte vetes të rrëmbente një populli tjetër atë çka i përket atij. Dashuria e tij për atdheun fisnikërohet aq sa është e lartë edhe madhështore ideja dhe ndjenja e së vërtetës "Unë e mora përsipër këtë barrë, - thotë Bardhi, - jo për ndonjë arsye tjetër, veç që të qes para syve të tu
(lexues) të vërtetën lakuriqe, të panjollosur, sepse kjo s'ka nevojë të lyhet e të stoliset me fjalë të bukura edhe të rrema".
Dashuria për atdheun, për të vërtetën, për popullin, për historinë dhe heroin e tij, për gjuhën dhe traditat e larta janë idetë themelore që përshkojnë fund e krye veprën. Mendjemprehtësia, kultura, horizonti i gjerë dhe aftësia për t'i përdorur me mjeshtëri argumentet janë karakteristika dalluese të veprës dhe të vetë autorit.
Për të mbrojtur shqiptarësinë e Skënderbeut autori niset nga argumente të sigurta dhe të shumta historike, pa nënçmuar gojëdhënat. Ai zotëron plotësisht metodën e shkencës historike të kohës dhe vlerëson e krahason në mënyrë kritike burimet historike. Përveç kaq e kaq historianëve në zë që sjell si argumente në mbrojte të tezës së vet të drejtë, Bardhi si një njohës dhe mbledhës i i traditës gojore popullore, për të vërtetuar shqiptarësinë e Skënderbeut, shfrytëzon me mjeshtëri të rrallë gojëdhënat dhe faktin që emri i Skënderbeut dhe kujtimi i tij rrojnë të gjalla në ndërgjegjen e popullit.
"Vazhdimisht gjer në ditët e sotme, - shkruan autori, - bashkëkohësit tanë flasin për të dhe këndojnë me zë të lartë trimërinë e tij nëpër gostitë… dhe e quajnë Skënderbeun tonë me emrin "Kuçedra e Arbrit", d.m.th. dragoi i Epirit. Dhe sa herë që shqiptohen këto fjalë, kuptohet vetëm Skënderbeu".
Ndjenja patriotike, dashuria për popullin dhe vendin e vet, krenaria për të kaluarën e tij të lavdishme dhe admirimi për heroin që çuditi botën me trimërinë e tij përshkojnë gjithë veprën. Këto përcaktojnë edhe disa cilësi të stilit të autori , si: patosin e ngritur, frazën e gjatë dhe të ngjeshur, gjuhën e mprehte plot thumba, për të hedhur poshtë fallsifikimet e kundërshtarit etj. Këto tipare e bëjnë veprën jo thjesht një polemikë historike, por një libër me vlera letrare. Njeri me kulturë të gjerë dhe mendje të mprehtë, Frang Bardhi, duke vazhduar traditën e Barletit në historiografinë shqiptare dhe duke hapur rrugë në fushën e leksikograisë e të gjurmimeve etnografike, me veprën e tij u bë një figurë e shquar e kulturës shqiptare të shekullit XVII.

descriptionLETERSIA E VJETËR SHQIPE EmptyRe: LETERSIA E VJETËR SHQIPE

more_horiz
PJETËR BOGDANI

Pjetër Bogdani është figura më e shquar e letërsisë së vjetër shqiptare. Ai shquhet jo vetëm si klerik i lartë, por edhe si atdhetar, me një dashuri të pakufi për gjuhën shqipe e për popullin shqiptar, por edhe si dijetar e letrar, si luftëtar i paepur për çlirimin e vendit nga zgjedha osmane dhe për zhvillimin e përparimin e tij kulturor. Me veprimtarinë e tij politike 40-vjeçare, sidomos me rolin që luajti si udhëheqës i kryengritjes çlirimtare të vitit 1689 dhe me veprën e vet "Çeta e profetëve", Pjetër Bogdani me të drejtë është quajtur pararendës i hershëm i lëvizjes së Rilindjes sonë Kombëtare. Lindi në Gur të Hasit, një fshat i Kukësit, rreth vitit 1625, Ungji i tij Andrea Bogdani, edhe ai klerik i lartë (kryepeshkop i shkupit), ishte marrë me lëvrimin e gjuhës sonë, kishte hartuar në gjuhën shqipe edhe një gramatikë të latinishtes, madje kishte mbajtur në Kosovë edhe një shkollë ku mësohej gjuha shqipe.
Mbasi kreu studimet e mesme fetare në Kolegjin e Loretos dhe punoi disa kohë si meshtar në Pult e Prizeren, me shpenzimet e të ungjit kreu edhe studimet e larta në Kolegjin e Propaganda Fides dhe në 1655 mori dy dekorata, njerën në filozofi dhe tjetrën në teologji, çka ishte gjë e rrallë sidomos asokohe për një të ri shqiptar.
Më 1656, në moshën 31-vjeçare, emërohet peshkop i Shkodrës ku shërben për 21 vjet (1657-1677), duke qenë i ngarkuar njëkohësisht edhe me administrimin e kryepeshkopatës së Tivarit, 12 vjetët e fundit të jetës së tij i kaloi si kryepeshkop i Shkupit.
Atij ju desh të luftonte njëherazi në tri fronte kryesore: edhe kundër zgjedhës së huaj, që në mesin e shekullit XVII ishte rënduar shumë, edhe kundër kishës ortodokse dhe sidomos patriarkanës serbo-ortodokse të Pejës, që i kishte shtuar përpjekjet e vjetra për të mos lejuar shpërthimin e kryengritjeve antiosmanene dioqezat e saj, edhe kundër politikës që ndiqte vetë kisha katolike e Romës në Ballkan.
Kudo që punoi , qoftë si peshkop i Shkodrës dhe administrator i kryepeshkopatës së Tivarit, qoftë si kryepeshkop i Shkupit, të gjitha këto detyra Bogdani i kreu jo vetëm si klerik, por edhe si patriot. Bashkë me predikimin fetar dhe nën petkun e klerikut ai edukonte te besimtarët edhe ndjenjën e dashurisë për liri e për atdhe dhe urrejtjen ndaj pushtuesëve osmane, nxiste dhe organizonte qëndresën kundër tyre dhe, jo rrallëherë, ka marrë pjesë drejtëpërdrejt në kryengritjet antiosmane që shperthyen në atë kohë.
Gjatë luftës turko-veneciane (1664-1669), ai u përpoq që të organizonte veprime të përbashkëta me venecianët kundër pushtuesve osmane. Po kështu edhe në konfliktin turko-austriak (1689) Pjetër Bogdani mori malin për të organizuar kryengritjen e armatosur, dhe, kur forcat austriake hynë në Prishtinë, me ta u bashkuan edhe rreth 500 luftëtarë të cilët kronisti austriak i cilëson "arnautë", d.m.th. shqiptarë. Bogdani ishte faktori vendimtar i këtij bashkëveprimi, aq sa kronisti i mësipërm, kur vdiq, më 6 dhjetor 1689, në mënyrë lakonike shkruan se "me vdekjen e Pjetër Bogdanit iku edhe fati ynë në tokë". Dhe me të vërtetë, ushtria austriake filloi të pësonte disfata të përditshme. Frytet e punës politike të Bogdanit për afrimin e shqiptarëve myslimane e katolike kundër zgjedhës shekullore, sidomos simpatinë që gëzonte ai tek shqiptarët myslimanë, e dëshmon edhe suksesi që pati më 1680, kur pajtoi brenda tri orëve fiset e Krasniqit dhe të Gashit, që ishin në gjakmarrje.
Për t'u shpëtuar këtyre ndjekjeve, atij i është dashur shpeshherë të merrte udhët e maleve. Madje edhe sot nëpër vendet ku ka kaluar ka shpella që mbajnë emrin e tij e që tregojnë se ai është fshehur në to për t'u shpëtuar operacioneve ushtarake turke. Gjatë këtyre arratisjeve, me sa duket, ai merrte me vete biblotekën personale, ose , të paktën, dorëshkrimet e vyera, sepse sikurse e thotë vetë me keqardhje, gjatë këtyre shtegtimeve të detyrueshme atij i humbi (hupi si krypa nd'ujët-shkruan ai) dorëshkrimi i gramatikës së të ungjit.
Pjetër Bogdani ka hyrë në historinë e patriotizmit shqiptar dhe të kulturës shqiptare jo vetëm me veprimtarinë e vet kombëtare për të organizuar kryengritjen e përgjithshme antiosmane, por edhe me veprën e tij diturore-letrare "Çeta e profetëve" (Cuneus profhetarum), që e botoi në Padovë, më 1635 me ndihmën e një miku të vet.
Me kulturën e tij të gjerë enciklopedike, me mendimet e tij përparimtare iluministe e atdhetare, me punën e gjatë këmbëngulëse më se tridhjetëvjeçare, Bogdani i dha letërsisë shqiptare dhe popullit shqiptar një vepër madhore, që kurorëzoi traditën e mëparshme letrare e kulturore dhe që paralajmëroi një periudhe të re të zgjimit gjithkombëtar.
Bogdani është një njeri erudit. Nga leximi i veprës së tij mësojmë se përveç gjuhës amtare, ai dinte edhe italishten, latinishten, kroatishten, armenishten, greqishten, arabishten, hebraishten, dhe sirishten.
Por më tepër se doktorata që mori edhe gjuhët që dinte, për vlerat e shquara të Bogdanit flet vepra e tij, " Çeta e profeteve„ është shkruar me një kulturë të gjerë, në të ka informacion të pasur nga historia e popullit tonë, nga filozofia dhe shkencat e natyrës. Vepra e tij nuk është përkthim. Legjendat biblike që janë në themel të saj, ai i ka përpunuar në mënyrë të lirë dhe herë pas here fut ide, arsyetime dhe argumentime me karakter filozofik, historik, politik, shkencor-natyror etj, që s'kanë të bëjnë fare me legjendat biblike dhe që i japin asaj karakter origjinal. Vepra e Bogdanit nuk është thjesht një tekst për shërbesat fetare, as për mësimin e fesë, siç ishin veprat e Buzukut e Budit. Ajo është një vepër teologjike-filozofike, me elemente të shumta enciklopedike që përshkrohet fund e krye nga dashuria e madhe për popullin shqiptar dhe gjuhën shqipe, nga dëshira për të ndihmuar zhvillimin dhe përparimin e kulturës shqiptare dhe nga urrejtja për pushtuesin. Vepra përbëhet nga dy pjesë. Në pjesën e parë trajtohen probleme teologjike e filozofike të doktrinës së krishtere, kurse në pjesën e dytë jetëshkrimi i Krishtit. Po autori del jashtë ketyre caqeve. Në pjesën e parë trajtohen edhe shumë probleme të shkencave natyrore, si të gjeografisë, astronomisë, fizikës, matematikës etj, por edhe të shkencave shoqërore si të teorisë së letërsisë etj. Duke goditur besimet e kota, ai në veprën e tij shpjegon, psh., si formohet shiu, vesa, breshri, bora, vetëtima etj., ç'janë tërmeti, eklipset e diellit e të hënës, baticat e zbaticat, flet për njohjen e botës nëpërmjet shqisave etj Meritë e tij është se gjithcka e trajton në nivelin e mendimit më të përparuar të kohës kur jetoi. Në pjesën e dytë, duke përshkruar jetën e Krishtit etj., ai solli në letërsinë tonë llojin e jetëshkrimit, realizmin në përshkrimin edhe vizatimin e figurave biblike, duke përdorur me mjeshtëri rrëfimin artistik në njerëz të ndryshëm. Ndihmesa e tij është e rëndësishme sidomos në formimin e prozës shkencore shqiptare.
Me interes të veçantë janë idetë e tij patriotike që parashtron jo vetëm në parathënien e veprës, por edhe gjatë shtjellimit të materialit. Sa herë i bëhet e mundshme, ai gjen rast të përmendë qëndresën burrërore të shqiptarëve. Me admirim flet p.sh., për qëndresën e kelmendasve "Kush mundetë me i ra mboh se ma i vobekje Vuca Pasha, i silli për të mbledhë një ushtri 12.000 vetësh, nuk i mjaftuan shumë milion ar, se kelmendasit tanë, të sijtë, me nji zan. "Eja kush ashtë trim„ mbledhunë afër 500 vetë, vranë Vuca Pashën, vjetit të Krishtit 1639„ …etj.
Bogdani njeh mirë historinë e Shqipërisë dhe shkrimet e për të prandaj, kur i vjen rasti, ai përmend me krenari vlerësime pozitive që kanë bërë historianë të huaj për vendin dhe popullin tonë. Diku ai përmend thënien e Herodotit: Cezar Augusti "Dëshironte fort me pasun ndë ushtritë tinë t'arbëreshëtë. Përse thonj pësonjënë shumë e nuk druhen për hu e për het, se janë më zemërorë se të tjerëtë„ .
Karakteristike tjetër e personalitetit të Bogdanit është mendimi i tij iluminist. Nëpërmjet përhapjes në popull të dijes dhe kulturës në gjuhën shqipe, ai shikonte një nga rrugët për të shpëtuar nga zgjedha e huaj. Paditurinë (në parathënien e veprës së vet) ai e quan një nga shkaqet kryesore të mjerimit dhe të skllavërisë së popullit.
"Prashtu dergjet e dheu ndë robi t'errëtë e verbuem me dy palë niegulla të zeza mbi faqe, që janë mkati i të paditunitë, perse u dvua dieja e urteja. E tue kjanë dheu i Arbënit ndë mjedistë t'pafevet„ …
Pra, autorit i qan zemra që populli i tij dergjet nën zgjedhë të huaj dhe ndodhet i verbuar me dy palë mjergulla, që janë mëkati e padituria. Dhe kjo, sepse dheu i Arbërit ndodhet mes të të pafeve, d.m.th. të pushtuesve osmanë.
Lënda që trajton Bogdani në veprën e tij, është e vështirë, sepse përmban koncepte e nocione abstrakte të fushave të ndryshme të dijes. Prozës shqiptare në atë kohë i mungonte tradita për të shprehur këto nocione. Por Bogdani asnjëherë nuk u përkul e nuk u ligështua para vështirësive, sepse kishte besim tek thesari i pasur i gjuhës shqipe. Me përpjekje këmbëngulëse, duke mbledhur me kujdes fjalë të lashta e të rralla nga visari i gjuhës popullore e duke i përdorur ato me kuptim të drejtpërdrejtë ose të figurshëm, ai e ngriti gjuhën shqipe në nivele të reja, tregoi aftësitë e saj për të fituar mundësi të larta shprehjeje e stili. Ai është i vetëdijshëm se në këtë punë mund të ketë edhe të meta e mangës , prandaj ne fjalët e fundit të parathënies së veprës ai i drejtohet lexuesit: "Të lutemi pra, litari em i urtë, të më ndijeçë në gjeç fjalëzë, që të trazon veshëtë. Përse as dielli pa hije as hëna pa mjegullore mbi faqe nuk anshtë..."
"Çeta e profetëve„ përmban edhe disa vjersha, shkruar nga vetë autori ose nga të tjerë. Nga këto, me interes të veçantë si për formën, ashtu edhe për idetë e saj, është një vjershë e Lukë Bogdanit. Ajo na sjell të gjallë deri në ditët tona kujtimin për Skënderbeun dhe mbresat e autorit për bukurinë dhe madhështinë e vendlindjes së poetit dhe veçanërisht të viseve ku ka jetuar e punuar poeti.
Me sa duket, me kërkesë të Vatikanit (ndoshta për të kontrolluar përmbajtjen para se të jepej leja e botimit), Bogdanit iu desh që veprën e tij ta përkthente në gjuhën italiane. Në këtë mënyrë shqipja ballafaqohet me një gjuhë evropiane të zhvilluar për kohën dhe veprës se Bogdanit i takon fati që të jetë e para vepër e përkthyer nga shqipja në një gjuhë tjetër, dhe autorit merita që të jetë i pari përkthyes i letërsisë shqiptare në gjuhë të huaj. Vepra e Bogdanit me përmbajtjen dhe me gjuhën e saj e çoi shumë përpara traditën e shkrimit të shqipes e sidomos të lëvrimit të prozës origjinale. Me veprimtarinë e tij patriotike, duke bashkuar ndjenjën fetare me ndjenjën kombëtare, me personalitetin dhe me veprën e tij, Pjetër Bogdani i siguroi vetes një vend të veçantë në historinë e patriotizmit shqiptar e të kulturës sonë kombëtare.

descriptionLETERSIA E VJETËR SHQIPE EmptyRe: LETERSIA E VJETËR SHQIPE

more_horiz
privacy_tip Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
power_settings_newLogin to reply